Merkel në Tiranë, zbulohet i gjithë projekti gjerman pranë aeroportit

 

Paraditen e së martës 14 shtator, në sallën e konferencave “Berlin” ndjehej në ajër atmosfera tipike e një ngjarjeje historike. Fytyrat e aktorëve kryesorë dhe lëvizjet nervoze të njerëzve të mediave dukshëm asimilonin presionin e një eventi të papërsëritshëm. Për disa, ky ishte momenti për të bërë një bilanc të fundit, nga ku ndoshta do të duhet t’ia niset nga e para. Për disa të tjerë ky ishte rasti “një herë në jetë” për të fiksuar në memorien mediatike kolektive një pjesë shtegu nga ku ka kaluar historia e Ballkanit Perëndimor. Mbizotëronte parandjenja se ndodheshim në kohën dhe vendin e duhur, aty ku po planifikohet të ndërthuret standardi gjerman me ardhmërinë e Tiranës moderne.

Gjithçka u zhvillua në parkun e Tirana Business Park, pranë “Aeroportit Nënë Tereza”. Ishte pikërisht ky vendi të cilin e kishte zgjedhur personalisht Kancelarja Anxhela Merkel si etapën e fundit të karrierës së saj 30 vjeçare në politikë. Në prag të zgjedhjeve të 26 shtatorit të Bundestagut, nga të cilat ajo është tërhequr zyrtarisht, Kancelarja gjermane piketoi Tiranën si vizitën e saj të fundit ndërkombëtare. Gjatë javëve të fundit arsyet politike apo gjeopolitike të kësaj zgjedhjeje janë hamendësuar ose tjerrur nga dhjetëra analistë vendas e të huaj. Sipas vetë Kancelares, Tirana dhe rrugëtimi i saj në “Procesin e Berlinit” është pjesë e vyer e trashëgimisë së saj politike. Çfarë dukej mëse evidente e njëkohësisht krijonte kuriozitet, ishte fakti pse u kthye Tirana Business Park për të dytën herë në kryeqendrën e vizitës së Merkel në Shqipëri. Kujtojmë këtu, se në vitin 2015, gjatë vizitës së saj të parë në vend, Kancelarja shpenzoi disa orë të mira në këtë qendër biznesi, si pjesë e “Forumit Ekonomik Shqipëri-Gjermani”.

Pikësëpari është çështje standardi. Kemi të bëjmë me një prirje të natyrshme të një lidereje europiane, e cila ka për detyrë të promovojë biznese dhe iniciativa të një niveli europian. Shtëpi e dhjetëra bizneseve vendase e të huaja, Tirana Business Park (TBP) është investim i gjigantit gjerman në fushën e ndërtimit, Lindner Group. Kemi të bëjmë me një kompani prestigjoze, me rrënjë dhe investime në të katërta anët e botës. Pra, në thelb është çështje prestigji dhe sigurie. Modeli gjerman i të bërit diplomaci (që përfaqëson Merkel) zgjedh të vlerësojë dhe të promovojë standardin Lindner Group e të bërit biznes. Përtej personazheve, edhe vetë vendet ku ndodh historia flasin qartë e japin mesazhe. Fakti pse salla “Berlin” në TBP u zgjodh si vendndodhje e konferencës së përbashkët mund ta marrim edhe si një mesazh të qartë të Kancelares: “ja modelin gjerman që duhet të ndiqni”.

Krejt natyrshëm, axhenda e Merkel përfshiu edhe një tjetër investim të Lindner Group në Tiranë. Fare pranë me TBP, ajo zhvilloi një drekë me Kryeministrin Rama dhe lider të tjerë ballkanikë në MK Hotel Tirana. Bëhet fjalë për një hotel me 5 yje, me arkitekturë moderne gjermane, i cili premton dhoma ultra-komode, një pamje mbresëlënese dhe eksperiencën e pishinës. Gjithçka dy hapa larg aeroportit, 15 minuta larg kryeqytetit. Me sa dukej, Kancelarja Merkel po bekonte të ardhmen e zhvillimit të të gjithë zonës përreth “Aeroportit Nënë Tereza”. Flasim ende në terma ardhmërie, pasi gjermanët e Lindner kanë plane akoma më prestigjioze. Pikërisht përreth Tirana Business Park po mendojnë të ndërtojnë një qendër rezidenciale unike në llojin e saj. Bëhet fjalë për “një qytet brenda qytetit”. Një qytezë e mirëfilltë e cila do t’i ofrojë banorëve të kryeqytetit shërbime dhe facilitete të cilat nuk gjenden në asnjë zonë rezidenciale tjetër në vend. Përpos hapësirave të gjelbëruara apo infrastrukturës së dedikuar, është menduar edhe për kampe sportive, kopshte, shkolla, qendra shëndetësore, restorante dhe bare. Banesat janë projektuar të shumëllojshme në hapësira dhe sa i përket komoditeteve që ofrojnë. Më në fund, në këtë rezidencë nuk janë në fokus vetëm familjet “ultra të pasura”, por edhe ato me të ardhura meso-të larta. Arkitektura është e stilit bashkëkohor gjerman, pra funksionale, e pastër dhe ka në qendër njeriun. Sipas vetë kompanisë, synimi i Lindner Group është ndërtimi i një rezidence ku mund të jetohet “stili gjerman i jetesës” dhe ku zbatohet përpikmërisht standardi i lartë i kompanisë. Jo pa qëllim rezidenca është pagëzuar si “Lindner Garden Residence”. Projekti është në prag nisjeje, ndërkohë që kompania këtë të martë nxorri online edhe uebsajtin zyrtar të rezidencës: lindnergardenresidence.com. Këtu, familjet që janë në kërkim të një alternative banimi, apo të apasionuarit pas arkitekturës mund të gjejnë material të vyer.

Vizita e Kancelares Merkel riktheu vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar tek Tirana zyrtare. Në të njëjtën kohë, krejt natyrshëm, axhenda e saj piketoi një nga zonat më me ardhmëri në Shqipëri sa i përket zhvillimit ekonomik dhe urban. Me seriozitetin që i ka hije një lidereje gjermane, ajo paracaktoi edhe standardin e zhvillimit të një rajoni me perspektivë. Fare pranë aeroportit, dy hapa nga autostrada Tiranë-Durrës, pjesë e planeve ambicioze infrastrukturore dhe nën menaxhimin e Lindner Group, kjo zonë po kthehet gradualisht në një nga epiqendrat e reja të Tiranës.

No Comments

Post A Comment